Përmirësimi i dukshmërisë së Grave Shqiptare në STEM në Wikipedia-n shqip

Shkencat e forta janë konsideruar historikisht si një fushë “mashkullore” e dijes. Gratë që ndërmarrin studimet dhe një karrierë në këto disiplina hasen me vështirësi dhe barriera të shumta. Ndonëse numrat e grave dhe vajzave që studiojnë në këto degë kanë parë rritje të vazhdueshme dukshmëria e tyre në këto fusha mbetet ende e vogël. Për të adresuar këtë çështje, Rrjeti i Grave Shqiptare në Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë, Qendra për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim, Wikimedia Community User Group në Shqipëri dhe Open Labs Shqipëri janë bashkuar për të organizuar një seri aktivitetesh që ka për qëllim rritjen dhe përmirësimin e dukshmërisë së vajzave dhe grave shqiptare në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë (STEM).

 Si?

Përgjatë një periudhe 12 mujore, do të organizohen tre edit-a-thons, gjatë të cilave pjesëmarrësit do të punojnë për krijimin dhe përditësimin  e profileve të grave dhe vajzave shqiptarë në STEM në Wikipedia.

Kush do të marrë pjesë?

Këto aktivitete synojnë të angazhojnë nxënës, studentë në fushat e STEM dhe shkencat sociale dhe humane, dhe profesionist të cilët duan të kontribuojnë në rritjen e dukshmërisë së vajzave dhe grave në STEM, si edhe të mësojnë të kontribuojnë në projektet në Wikipedia.

Si?

Pjesëmarrësit do të pajisen me dije teknike mbi krijimin dhe përditësimin e faqeve në Wikipedia, si dhe do të prezantohen me konceptet e publikimit të informacionit në një format të hapur të të dhënave dhe informacionit me interes publik, rëndësinë e këtyre koncepteve si praktika për të fuqizuar shoqërinë dhe demokracinë shqiptare.

Kur?

Trajnimet dhe edit-a-thons do të ndodhin sipas kalendarit të mëposhtëm:

  • 30 Korrik 2021, ora 15:00 – 19:00 – Trajnim mbi krijimin dhe përditësimin e faqeve në Wikipedia
  • 31 Korrik 2021, ora 15:00 – 19:00 – Edit-a-thon
  • 13 Tetor 2021 – Ada Lovelace Day Edit-a-thon
  • 19 Mars 2022, Edit-a-thon

Si të aplikosh?

Dërgoni një email pranë info@scidevcenter.org, me titull “Përmirësimi i Dukshmërisë së Grave Shqiptare në STEM në SQ Wikipedia” deri në datën 28 Korrik 2021.

Mbi Organizatorët:

Rrjeti Shqiptar i Grave në Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë (shkurt NAW-STEM) punon për të rritur dukshmërinë e grave shqiptare, në Shqipëri dhe diasporë, në STEM; angazhohet në advokim për krijimin e politikave dhe lehtësimin e ndryshimeve strukturore për më shumë gra në pozicione drejtuese si në akademi edhe në industri; promovimin e edukimit digjital dhe STEM për vajzat dhe gratë; mbështet tranzicionin e karrierës nga fushat jo-teknologjike në ato teknologjike, etj.

Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (shkurt SCiDEV) synon të mbështesë dhe nxisë zhvillimin e qëndrueshëm, ekonomik dhe shoqëror dhe demokratizimin në Shqipëri dhe rajon. Për të arritur këtë SCiDEV punon me akademinë, shoqërinë civile, institucione private dhe publike, në forcimin e inovacionit dhe hulumtimit shkencor, advokimin dhe mbështetjen e përdorimit të të dhënave për nisma ligjore dhe politikëbërëse.

Wikimedia Community User Group Albania (shkurt WCUGA) është një grup i përdoruesve të projekteve Wikimedia në Shqipëri, të cilët organizojnë aktivitete dhe projekte të ndryshme në nivel kombëtar duke përfshirë iniciativa si Wiki në Arsim (Wiki in Education) dhe GLAM (Galeri, Librari, Arkivat dhe Muzetë). WCUGA ka si qëllim edhe përfaqësimin e komunitetit shqiptar të projekteve te Wikimedias si dhe pjesëmarrjen në projektet e Fondacionit Wikimedia.

Open Labs Albania është komuniteti dhe hackerspace që ndodhet në Tiranë, Shqipëri, që promovon programet kompjuterike me kodburim të lirë me kod të hapur, të dhëna të hapura dhe iniciativa për lirinë e internetit kryesisht për popullatën shqiptare. OpenStreetMap dhe Wikipedia janë disa nga komunitetet që përdorin infrastrukturën e Open Labs në internet dhe offline (në Tiranë) për të mirën e komunitetit dhe publikut të gjerë dhe të komuniteteve.

Publikimi i informacionit në një format të hapur i të dhënave dhe informacionit me interes publik nga institucionet qeveritare dhe organizatat, është një element i rëndësishëm i çdo shoqërie demokratike. Kuptimi i “hapur” në lidhje me njohuritë dhe informacionin, nxit bashkëpunimin dhe fuqizimin e domenit publik ku çdo qytetar mund të marrë pjesë dhe ku ndërveprimi midis palëve është në nivelin më të lartë të mundshëm. Ndarja e informacionit në domain publik kosiderohet si një parim i procesit të punës për institucione publike. Në këtë kontekst, çdo hap në publikimin dhe përdorimin e informacionit, nëpërmjet bazave e të dhënave publike të informacionit, veprave krijuese në një format të hapur dhe licencë të hapur nga institucionet publike dhe organizata/komunitete, është një hap përpara drejt një shoqërie më transparente dhe një ambient ku shoqëria civile mund të përfshihet lehtësisht duke përdorur dhe përmirësuar këto të dhëna.  

Comments

  1. :spiral_calendar: 30-31 korrik 2021
    :round_pushpin: Open labs Hackerspace
    :bookmark: Përmirësimi i dukshmërisë së Grave Shqiptare në STEM në Wikipedia-n shqip

    Edit-a-thon i rradhes eshte kete te premte dhe te shtunen. Po nuk iket ne plazh kete fundjave, do jemi ne Open Labs edhe te premten edhe te shtunen nga ora 15:00 deri me 19:00 per te prezantuar projektin dhe per te punuar.

    Edit-a-thon ka per qellim krijimin dhe permiresimin e artikujve rreth vajzave dhe grave shqiptare nga fusha te ndryshme, nga kontribues te rinj. Pra nese ke deshire te mesosh si te editosh ne Wikipedia, kjo eshte mundesia ideale. :grin:

    Shihemi te premten :wave:

Continue the discussion at forum.openlabs.cc

Participants