Fedora Virtual Localization Sprint #9

Pas një muaji të gjatë dhe të mbushur me evente të mëdha, si 48 HR Open Source Hackathon dhe Linux Weekend, komuniteti i Fedora Albania rikthehet me një javë virtuale e cila përkon me vFAD 26 (virtual Fedora Activity day), në kuadër të përgatitjeve për versionin e ri të Fedora, atë 26. Gjatë kësaj jave, e cila nis më datën 11 Prill e përfundon në datën 17 Prill 2017, do të mblidhemi bashkë në ambientet e Open Labs dhe gjithashtu online, për ata që nuk do kenë mundësinë të jenë prezentë fizikisht, për të nisur përkthimin e disa prej paketave më të rëndësishme që mendojmë se duhen përkthyer për versionin e ri të Fedora.

Rikujtojmë eventet e vitit të kaluar për Fedora 24 ku sipas raportit final, komuniteti shqiptar arriti të ishte i pari në botë për sasinë e përkthimeve gjatë asaj periudhe 1 javore dhe pse jo, të luftojmë sërish që të ruajmë “titullin tonë prej kampionësh”. Për komunitetin tonë është shumë e rëndësishme që Fedora të përkthehet edhe në shqip, prandaj me ndihmën tuaj në aktivitetet e radhës dedikuar përkthimeve do i afrohemi akoma më shumë përmbushjes së qëllimit që ne kemi dhe për këtë vit.

Bëjmë me dije se komunikimi virtual do të bëhet përmes IRC, në kanalin #fedora-sq në Freenode, në mailing list e Open Labs (meqë ra fjala, tanimë kemi kaluar në një platformë tërësisht open source dhe të decentralizuar të komunikimit siç është Discourse dhe ju ftojmë të na bashkoheni aty) dhe në mailing list zyrtare të Fedora dedikuar përkthimeve në shqip. Kujtojmë se për të përshpejtuar proçesin e punës, do të ishte mirë që ata që do të na bashkohen të kenë krijuar paraprakisht një llogari në FAS (Fedora Account System) dhe gjithashtu të përdorin këtë llogari për platformën që Fedora përdor për përkthimin e paketave, e quajtur Zanata. Pasi të keni hyrë duke përdorur kredencialet e llogarisë suaj Fedora, bashkojuni grupit shqiptar të përkthimeve dhe do të aprovoheni gjatë eventit për të nisur punën.

Fedora Virtual Localization Sprint #9 do të zhvillohet prej ditës së mërkurë 12 Prill deri më 17 Prill në ambientet e Open Labs Hackerspace dhe online.  Nëse edhe ti ke dëshirë të kontribuosh, je mëse i mirëpritur. Nuk ka nevojë për dije teknike, mjafton dëshira e mirë dhe vullneti për të përkthyer.

Mos harro të marrësh laptopin me vete!

Kur: 12.04.2017
Ku: Open Labs Hackerspace


View Larger Map

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen me *