Zgjedhjet bashkiake 2015: Letër e hapur drejt kandidateve

zgjedhjet lokale 2015

Gjatë muajve të fundit kemi vendosur si komunitet që të fokusohemi dhe në procesin e llogaridhënies nga vendimarrësit tanë rreth teknologjive që përdoren nga shërbyesit civilë (ose ndryshe punonjësit e adminsitratës publike). Pyetjet drejt vendimarrësve dhe kërkimi i angazhimit të tyre për cështje konkrete dhe monitorimi i përgjigjjes së tyre konsiderohet nga Open Labs si procesi më thelbësor dhe universal i funksionimit të dekomkracisë.
Në këtë kuadër u angazhuam fillimisht në mailing list për hartimin e një letre të hapur drejtuar kandidatëve për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 21 qershorit të vitit 2015.
Statusi i përgjigjeve deri tani është si më poshtë. Theksojme që emrat janë vendosur në rend alfabetik:
– Arben Tafaj: nuk është përgjigjur akoma
– Erion Veliaj: nuk është përgjigjur akoma
– Gjergj Bojaxhi: nuk është përgjigjur akoma
– Halim Kosova: nuk është pergjigjur akoma
– Sazam Guri: është përgjigjur me një email fillestar, jemi duke prirtur përgjgigjen e plotë.

Më poshtë letra e-mail i hapur që i është drejtuar kandidatëve për bashkinë e Tiranës nga komuniteti jonë.

I nderuar Z. _________,


Fillimisht do donim t’ju uronim suksese në kandidaturën tuaj për kryetar bashkie në qytetin e Tiran
ës.
Ju kontaktojmë në emër të komunitetit Open Labs, që ka si qëllim promovimin e shpërndarjes së dijes së hapur nëpërmjet teknologjive ‘free libre open source’ (FLOS), praktikave të transparencës së vendimmarrësve nëpërmjet formatit open data dhe vendosjes së standarteve në formatet teknologjike që përdoren nga administrata publike dhe jo vetëm.
Open Labs, një organizatë aktive që nga viti 2012, ka organizuar dy konferenca vjetore (me mbi 350 pjesëmarrës nga vende të ndryshme të Europës) dhe aktivitete të tjera si Wikipedia Weekend, WikiAkademia Shqiptare (për promovimin e enciklopedisë dixhitale Wikipedia në Shqip) në qytete si Tetova, Prishtina, Tirana, Durrësi, Elbasani, Kukësi, Mozilla Weekend (promovim i programeve me burim të hapur Firefox dhe Thunderbird), puntori falas rreth teknologjisë për të rinjtë, projeksione filmash rreth teknologjive që promovojnë gjithpërfshirje dhe decentralizim në vendimarrje, ndarjes së informacionit në mënyrë transparente etj.Ne besojmë që teknologjitë FLOS ofrojnë shumë përfitime komunitare dhe financiare për qeverisjen lokale dhe më tepër transparencë dhe llogaridhënie nga pushteti vendor. Më specifikisht duke përdorur teknologjitë FLOS dhe formate open data mund të arrihet nga bashkia e qytetit:
1. pasurimi i informacioneve lokale në gjuhën shqipe dhe angleze mbi turizmin dhe kulturën e qyteteve nëpërmjet platformave si Wikipedia, WikiVoyage etj;
2. përmirësimi i prezantimit të lëvizshmërisë në qytete nëpërmjet platformave si Open Street Map;
3. mundësia për të afruar të rinjtë dhe jo vetëm me qytetin duke i bërë pjesëmarrës aktivë të proçesit të përmirësimit të qytetit të tyre nëpërmjet aplikacioneve me burim të hapur (open source) si FixMyStreet që janë aplikuar me sukses në qytete të ndryshme të Britanisë së Madhe, Belgjikës, Hollandës dhe jo vetëm;
4. përmirësimi i lëvizjes së personave me aftësi të kufizuar në qytet nëpërmjet promovimit nga bashkia dhe përdorimit nga qytetarët në nevojë të platformave si www.wheelmap.org;
5. ulje e kostos së liçensave të programeve kompjuterike dhe rritjes së privatësisë së materialit të përdorur nga punonjësit e bashkisë duke përdorur programe me burim të hapur si LibreOffice, Mozilla Thunderbird, GNU/Linux etj;
6. standardizimi i informacionit, ruajtjes dhe shpërndarjes së tij nga punonjësit e bashkisë sipas standardeve europiane/ndërkombëtare (open standards);
7. publikimi masiv i të dhënave publike (tekste, foto dhe video) të bashkisë me fokus trashëgiminë kulturore, pikat turistike dhe objekte të shërbimit për publikun, duke përfshirë në platforma si wiki (shembull nga bashkia e Selanikut meta.wikimedia.org/wiki/Thesswiki) dhe në formate open data dhe me liçensa në domein publik, Generic Public License etj, me qëllim përdorimin e të dhënave publike nga palë të treta si agjensi turistike, programues të aplikacioneve mobile, etj;
8. përdorimi liçensave Creative Commons për të gjitha materialet kreative që prodhohen nga bashkia që ju mund të përfaqësoni pas 21 qershorit;
9. rritja e përdorimit të monedhës virtuale bitcoin nëpërmjet ofrimit nga bashkia të pagesave nëpërmjet kësaj monedhe duke e bërë bashkinë e qytetit tuaj ndoshta njësinë e parë vendore në botë që përdor shkëmbime të tilla financiare.
Jemi më se të bindur që ka një lidhje të ngushtë midis përdorimit të standarteve të hapura teknologjike dhe FLOSS, promovimit të liçensave alternative të të drejtës së autorit për materiale publike dhe zhvillimit të një njësie vendore.Në këtë kuadër, organizata jonë dëshiron të informohet nga ju, por dhe nga kandidatët e tjerë në garë për bashkinë e qytetit, në lidhje me planet tuaja për të përfshirë zgjidhje teknologjike inovative, të hapura, të aksesueshme nga të gjithë si dhe standarde të hapura për të dhënat e bashkisë duke ndihmuar transparencën dhe thjeshtëzimin e informimin e publikut.
Nuk mund të mos jemi të vetëdijshëm që sa më lart mund të konsiderohen tema me karakter teknik nga ju. Nga ana tjetër si promovues të teknologjive të tilla, partizanë të shpërndarjes së dijes së hapur dhe njohës të zhvillimit që mund të sjellin teknologji dhe aplikime të tilla për njësinë bashkiake për të cilën ju kandidoni, mendojmë që çdo kandidat për postin e kryetarit të bashkisë duhet të njihet fillimisht me praktika të tilla dhe në vijim të informojë zyrtarisht publikun për qëndrimin rreth përdorimit dhe promovimit ose jo të teknologjive FLOS. Gjithashtu shpresojmë që ju të zotoheni para zgjedhjeve zyrtarisht për përdorimin ose jo të platformave të tilla në rast se zgjidheni kandidat i bashkisë.
Jemi të bindur që përfshirja ose mospërfshirja e teknologjive FLOS në programin tuaj elektoral ka interes të vecantë për votuesit si dhe për taksapaguesit, pasi janë çështje të rëndësishme që lidhen me transparencën, autorësinë e programeve që përdoren nga administrata (copyright/copyleft), uljen e kostove të liçensave të programeve kompjuterike (software) dhe përmirësimit të cilësisë së jetesës së qytetarëve.
Ju falenderojmë dhe shpresojmë për një përgjigje nga ju para zgjedhjeve, përgjigje që do e publikojmë në website-in tonë, në listën e emaileve (mailing list) të komunitetit tonë ku janë regjistruar mbi 200 promovues të teknologjive FLOSS dhe kulturës së dijes së hapur në Shqipëri  si dhe në rrjetet sociale të komunitetit. Me respekt,

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen me *